Tuesday, March 2, 2010

IMAZHE NGA MBRAMJA MAGJIKE











ANDRRA DHE ZHGJANDRRA E NJI JAVE SHKURTI

SHTËPIA E KARNEVALEVE DHE DALJA NGA RRETHIMET E SHKODRËS.

14-17 SHKURT 2010

Pas rrethimit të katërt të Shkodrës jo nga osmanët por nga ujrat, tanimë ndihet gurgullima e një tjetër burimi, ai shpirtrave të qytetarëve shkodranë banorë të kahershëm të lartësive të Rozafatit.

Përmes një tjetër ure të papërmbytshme rikthehen venedikasit ose venecianët e sotshëm me armaturën e bukur të maskave.

Dita e shenjtit të Dashurisë në muajin më të shkurtër të vitit risolli një diell të ri, atë të ritualit të karnevaleve sendërtuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Shkodër dhe inskenuar nga organizuesit Gjon .

Maskat e nisin ritualin shpirtëror që prej mijëra vjetësh të adhurimit ilirik ndaj kulteve hyjnorë dhe formësohen para mbi 100 vjetësh nga imagjinata e artistit Kol Idromeno.

Ja në një kthinë të afërt me qendrën e qytetit gjejmë barkën e shpëtimit si arkë Noje pranë një shtëpie të traditës, muzeut të maskave lëvizëse.



Mbrëmja që ul perdet e paradave tre ditore të karnevaleve shkodrane finalizohet në kullën e Gjon Dukgilajt,
apo dukagjinasit fisnik që ka rizgjuar ashtu si në kohërat e Marubit, kostumin e kryeheroit kombtar Skanderbeg.

Fytyrzimi i kësaj feste ka veshur ngjyresat arbërore.
Tanimë aristokratë venecianë, pra të rinjtë e maskuar bukurisht si dukër, kontër e baronesha mbërrijnë jo për tu marrë osmanëve robërit e luftimeve por për tu sjellë turistë kureshtarë nga mbarë rajoni.

Malësorët toskë e gegë, i gjejmë në kostumet me të cilat janë stolisur aktorët e kësaj mbrëmjeje plot nur e sharm.

Ata na flasin me gjuhën e lëvizjes, gjestikulacionet dhe komiken e Gjergj kastriotit në Kohrat Moderne të improvizuar nga Gjon Dukgilaj, teksa Llesh Barleti shkruan me humor në letrat e tij, dhe mjeshtri gjirokastrit i maskave Edmond Angoni me mantelit e tradhtarit të penduar na ofrojnë spektaklin nokturn.

Vallzimi ndalet dhe është casti magjik i shëtitjes në sofrat aristokrate të kryeqendrës kulturore të Shkodrës.

Kolona e të qeshurave të oborrtarve ecën hareshëm drejt
legjendave, duke trokitur gotat si në një martesë, ku ndihet ardhja e ikja e beftë e krushqve gazmorë.

Gjergj Kastrioti hyn i mirpritur në mbarë portat e fisnikëve shkodranë, hotelet dhe lokalet me luksoze duke bërë dobi me mjetet e teknologjisë së fundit si autobusi dhe celulari.
Dhe jo larg itinerarit alegro të maskave, Skanderbegu ndeshet me Maskën e Sulltan Muratit shoqëruar nga kurtizania e shpërthyer brune, dialogojnë ndërmjet prijësash dhe firmosin së bashku hyrjen e Shqipërisë në Nato.

Më tej kolona e çifteve veneciano-arbërore rrugton drejt portës hyrëse në Bashkimin Europian në këtë prekje të reales plot fantazi.

Duket sikur hyn në një pallat barok venedikas plot llamburitje e vezullim dritash e ornamentesh.

Dalja triumfale shenjon për Gjergj Kastriotin dukagjinas të karnevaleve qershorin e prekjes së ëndërrës europiane të shqiptarve, lëvizjen e lirë pa viza drejt Perëndimit.

...dhe kthimi në muzeumin e maskave të traditës ka një tjetër tingullnajë….

…atë të bejteve komike therëse të pinjollit të Pjetër Gjokës, shkapetjes së Llesh Barletit të cartun drejt Rozafave balerina e këngëtore të përnatshme në ngazëllimin e festës së shumë dashurive…

Damat rioshe shkodrano venecjane përfshihen në rrethin valvitës të valles, ato fshehin dhe zbulojnë si vetë maskat dhe kostumet që i stolisin. Si Rozafa gjishpërthyera ato piklojnë qumshtin e energjisë së jetës për syrin e të ftuarve.


Gazi i Shkodrës është i pandalshëm deri në ag brenda ngrehinës së traditës. Për rizgjimin e kësaj ngrehine të maskave Gjoni dhe Edmondi rrokin të vërtetat e mundimshme dhe të bukura duke na përndritur udhnajën e karnevaleve në shekullin e ri.

Me vizionet dhe vullnetin e pushtetshëm për ti dhuruar Shkodrës, Tiranës, Prishtinës e Janinës si dhe mbarë gadishullit ilirik fytyrën identitare si një vijëzim mbi pemën e familjes europanie dy rizgjuesit e shpirtrave nën maska na rrëfejnë dhe një sekret të vogël.

Jo larg në kohë pritet të kemi për mbarë karnevalistët dhe pasionantët e një maske fytyrën e Skanderbegut dhe mbarë personazheve e personaliteteve kulturore të kombit.

nga
Andi Bica